Karta sekrete: Kur dhe kush president?

Misteret e datës së zgjedhjes së presidentit. Ky Kuvend, apo Kuvendi i ri do të zgjedhin kreun e shtetit. Palët nuk po zbulojnë kartat se kur do të ndodhë dhe kush do të propozohet

Nga Mentor Nazarko

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, zgjedhja parlamentare e Presidentit nuk mund të ndodhë më vonë se 60 ditë para përfundimit të mandatit të Kuvendit. Jemi tamam në situatën kur përfundimi i mandatit të presidentit përputhet pak a shumë me mandatin e kuvendit.  Pikërisht duke llogaritur këtë, në Kushtetutën e Shqipërisë neni 88 është amenduar 9 vjet më parë, duke parashikuar :

2/1. Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit.

Atëherë?

E vërteta është se ky nen ngjan paksa i ngatërruar që në zbatimin e parë të tij në 2017. Dhe ja përse.

Mandati i Presidentit Nishani ka filluar në 24 korrik të vitit 2012. Në kushtet normale procedura për zgjedhjen e presidentit duhet të fillonte të paktën dy muaj para, pra në 24 maj.  Por në 24 maj Kuvendi duhet të jetë i shpërndarë sipas Kodit Zgjedhor, sepse zgjedhjet janë shpallur në 21 qershor.

Atëherë, kur duhet të zgjidhet Presidenti?

Duke qenë se jemi në kushtet e mbarimit të mandatit të Kuvendit, i cili ka filluar në 9 shtator 2013, atëherë ne duhet të zgjedhim presidentin të paktën dy muaj para 9 shtatorit 2017, dmth jo më vonë se 9 korriku.

Logjika e kushtetutës në republikat parlamentare

Ky nen ka një konflikt të madh në vetvete. Si rregull, zgjedhja e presidentit është një moment i rëndësishëm në jetën e Kuvendit dhe ajo nuk mund të bëhet nga një parlament që është në ikje, pra në 6 muajt e fundit. Argumenti tjetër është se një moment të rëndësishëm si janë zgjedhjet, vendi duhet të ketë një president me autoritet të plotë dhe jo dikush që është në fund të mandatit.

Për këtë arsye shumë Kushtetuta të republikave parlamentare e shmangin këtë koincidencë.  Pikërisht për këtë arsye në nenin 88/1 të Kushtetutës sonë, është vendosur saktësimi i 6 muajve të fundit. Por kështu si është formuluar neni, nuk është rritur saktësia, por është shtuar kontradikta.

Kushtetuta imponon që presidenti të fillojë të zgjidhet madje më vonë se afati i tij normal i fillimit të procedurës së zgjedhjes që është 24 maji.

Por ne kemi zgjedhjet në 21 qershor dhe Kuvendi duhet të jetë i shpërndarë të paktën 45 ditë më parë.

Në këtë konflikt, (filozofia përdor termin Antinomi për të përkufizuar kundërshtitë brenda një neni apo një ligji) të një neni të kushtetutës, në rrëmujën që krijon ky nen, kemi dy skenare:

1.Presidentin e zgjedh ky Kuvend. Në këtë rast procedura kushtetuese duhet të mbarojë jo më vonë se 5 maji dhe Presidenti duhet të jetë zgjedhur para asaj date. Po të llogarisim  pesë raundet e votimit të Presidentit, që mund të marrin 35 ditë (deri në 7 ditë pushimi midis raundeve sipas nenit 88), atëherë procedura e zgjedhjes së presidentit do duhej të fillonte në 1 prill, të paktën. Por ne nuk kemi njoftim të tillë, dhe nga palët nuk po shohim përgatitje për këtë datë.

2.Presidentin e zgjedh Kuvendi tjetër që del pas zgjedhjeve. Madje si akt i parë i mbledhjes së vet. Diçka që ka ndodhur dhe me Kosovën në 2011. Atëherë Presidenti duhet patjetër të zgjidhet deri në 9 korrik që është afat detyrues kushtetues.

Kjo ngjan zgjidhja më logjike dhe në përputhje me frymën kushtetuese. Por palët ende nuk po i zbulojnë kartat e tyre.

Nëse do të ketë një zhvillim në këtë drejtim, ai do të ishte fryt i një kompromisi midis PS dhe LSI. Nëse është arritur kompromis për këtë pikë, atëherë është arritur dhe për të shkuar në koalicion. Dhe data apo secili Kuvend do ta zgjedhë presidentin do të ishte bërë publike. Por nuk kemi ende qartësi për datën e zgjedhjes së presidentit. Për pasojë, nuk kemi ende koalicion mësa duket.

PD nuk ka ndonjë pozicion në lidhje me këtë çështje. Normalisht, ekspertët e saj e dinë problematikën që krijohet në këtë situatë, kur përfundimi i mandateve të presidentit me parlamentin, përputhen.  A kanë dhe ata ndonjë kartë surprizë, p.sh., kontestimi kushtetues?

Surpriza tjetër

Po ç’ndodh me presidentin aktual Nishani? Mandati i Presidentit Nishani zgjat deri në 24 korrik 2017. Ai do të jetë deri atëherë President. Mandati i Presidentit nuk mund të zgjatet veçse në kohë lufte dhe sigurisht ne nuk jemi në kohë lufte.  Por nëse ai jep dorëheqjen, automatikisht Meta bëhet President sipas Kushtetutës.

Ky akt mund të ishte një dhuratë e PD-së për Metën dhe LSI-në. Meta, në një skenar do të fuste LSI-në në zgjedhje, duke qenë vetë President, diçka që ngjan një lloj favorizimi i partisë së tij. Por kjo është thjesht imagjinatë. Nuk dimë ende sa bujare do të jetë PD-ja me LSI-në dhe çfarë mendon PS për këtë…

Analizuam skenarët e zgjedhjes së presidentit në një kontekst politik shqiptar, por dhe në atë rajonal. Komplikueshmëria, apo rrëmuja, rrezikon të shtohet edhe më shumë. (Konica.al)

Source: gazetatema.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *