Macron, kandidati i pazakontë i zgjedhjeve në Francë

Ky lajm u publikua fillimisht në www.reporter.al, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative.

Larg të majtës dhe të djathtës së vjetër, Macron, nuk është as populist i majtë apo i djathtë, por gjithashtu nuk është as edhe nga ata të qendrës tradicionale. Ai mund të jetë modeli i ri i politikanit që mund të shërbejë si antidot i populizmit në rritje, argumenton Kemal Dervis.

Emmanuel Macron gjatë një fjalimi të fushatës zgjedhore presidenciale. Foto: (AP Photo/Kamil Zihnioglu, File)

Emmanuel Macron gjatë një fjalimi të fushatës zgjedhore presidenciale.
Foto: (AP Photo/Kamil Zihnioglu, File)

Marine Le Pen, liderja e Frontit Kombëtar të së djathtës ekstreme në Francë, mund të jetë një anëtare themeluese e asaj që Scott Malcomson nga programi Amerika e Re quan “ndërkombëtarja nacionaliste”. Por ajo nuk është e vetmja “rebele”që po del mirë në sondazhet për zgjedhjet presidenciale në vend të cilat do të mbahen këtë pranverë.

Emmanuel Macron është gjithashtu një rebel, por i një lloj mjaft të vështirë. Pasi shërbeu si ministër i ekonomisë, industrisë dhe çështjeve dixhitale nën presidentin francez François Hollande, ai krijoi lëvizjen e tij politike, En Marche! Dhe po garon për president si një i pavarur. Macron është vetëm 39 vjeç dhe kurrë s’ka qenë politikan partie. Deri para tre muajsh, pak vëzhgues i jepnin atij ndonjë shans. Por ai shpejt mblodhi një skuadër të fortë dhe ka marrë mbështetje nga shumë votues të rinj.

Macron llogaritet të marrë 20% të votuesve në raundin e parë të zgjedhjeve në prill. Kjo duket e pamjaftueshme për të shkuar më tej në raundin e dytë të zgjedhjeve në maj, kur dy kandidatët kryesor do të përballen për të vendosur fitimtarin.

Raundin e parë e kanë kryesuar Le Pen, me 27% të votave dhe François Fillon, që ka shërbyer si kryeministër nën presidentin Nicolas Sarkozy. Por kandidimi i Fillon është tani në dyshim, pas akuzave se ai ka punësuar gruan dhe fëmijët në pozicione fiktive ndërsa shërbente në Asamblenë Kombëtare. Ndërkohë, kandidati i majtë Benoît Hamon është ngritur në rezultate që nga fitorja në partinë socialiste dhe tani po i afrohet 20 përqindëshit.

Megjithëse Macron e pozicionoi veten kundër të majtës dhe të djathtës të vjetër, ai nuk është as populist i majtë dhe as i djathtë, por as edhe nga ata të qendrës tradicionale. Ai anon majtas nga ana emocionale dhe intelektuale, por refuzon “politikën klasore” tradicionale.

Marron po bën fushatë për vota nga të gjitha pjesët e shoqërisë. Ai ka depërtuar te punëtorët që ndihen të tradhtuar nga “sistemi” dhe të kërcënuar nga globalizimi dhe teknologjitë e reja; dhe te mësuesit dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor që kuptojnë se shërbimet e arsimit publik dhe të shëndetësisë kanë nevojë për reforma të thella për të ruajtur solidaritetin e shoqërisë ku janë mbështetur në të shkuarën.  Por ai gjithashtu po kërkon mbështetje nga inovatorët dhe sipërmarrësit, të cilët duan një mjedis rregullator më të lirë dhe akses të përmirësuar në burime.

Ai ende nuk ka formuluar një program të plotë. Por Jean Pisani-Ferry, një nga ekonomistët më të mirë të politikave në Francë, së fundmi dha dorëheqjen si drejtor i organizatës kombëtare France Stratégie për t’u bërë drejtor programi i Macron. Deri më tani, Macron e ka vënë theksin te një lloj solidariteti social që i bën përfitime shoqërore më universale dhe më të transferueshme, ndërsa po mbron parandalimin te kujdesi shëndetësor. Ai i sheh politika të tilla si plotësuese, jo kundërshtuese, për të shtuar masat e zhvillimit dhe po bën thirrje për më shumë mbështetje për biznesin inovativ.

Përkundrazi rebelëve të tjerë, fushata e Macron do të jetë pozitive. Ai me gjasa do të shmangë sulmet poshtëruese ndaj kandidatëve të tjerë dhe do të argumentojë se Franca ka më shumë për të fituar nga reformat e bashkëpunimit sesa t’i deklarojë luftë “ekspertëve”, shtypit, pronarëve të kapitalit, sindikalistëve, imigratëve dhe grupeve të tjera specifike.

Macron është kështu i kundërt krah populistëve të tjerë. Duke i vënë theksin argumenteve të bazuara te faktet dhe thirrjeve ndaj vlerave humaniste dhe demokratike, ai po përpiqet të modernizojë dhe ripërtërijë të majtën – “shtëpinë” e tij – si dhe pjesë të së djathtës. Dhe ai është një besimtar i fortë te Europa që mbështet propozimet për krijimin e një ministri financash për eurozonën.

Në Europën e sotme, ka vende që duan të integrohen më ngushtë në bazën e euros dhe vende që favorizojnë një strukturë më të mirë bashkëpunimi. Mbretëria e Bashkuar për shembull, po largohet nga Bashkimi Europian, por mund të dojë të mbetet në një partneritet kontinental europian, siç përshkruhet nga një grup europianësh me influencë. Një qsje e tillë i ngjan asaj që e kam përshkruar më parë si “dy Europa në një”.

Macron parashikon një Europë më të integruar bazuar te parimi i vendimmarrjes në nivelin më të afërt me problemin. Ai mbron vendimmarrjen lokale kurdo që është e mundur dhe efektive, por gjithashtu mbështet vendimmarrjen kombëtare dhe europiane, kur kjo është e përshtatshme; çelësi është se proceset duhet të jenë freksibël dhe t’i japin mundësinë qytetarëve për pjesëmarrje. Ai e sheh sovranitetin e përbashkët si diçka të mirë, por kupton se duhet të menaxhohet përmes marrëveshjeve dhe institucioneve ndërkombëtare të qëndrueshme dhe efikase.

Sondazhet aktualisht po variojnë shumë, për shkak të skandalit të Fillon dhe një rritje të mbështetjes për Hamon mes votuesve të krahut të majtë jashtë partisë socialiste. Por nëse Macron kualifikohet për raundin e dytë, ai do të ishte një kërcënim më i madh për Le Pen sesa do të qe një kandidat i zakonshëm i të majtës. Ai do të ishte i duhuri për të trazuar Ndërkombëtaren Nacionaliste.

Në fakt, një fitore e Macon mund të niste një kundër-trend ndaj populizmit që po përfshin globin, duke i dhënë shpresë të gjithë atyre që simpatizojnë të majtën apo të djathtën, por kanë ankth rreth populizmit dhe hipernacionalizmit. Alternativa do të mund të ishte një fitore e Le Pen dhe një kthim mbrapa në vitet 1930, kur shumë vende i kthyen kurrizin bashkëpunimit ndërkombëtare dhe zgjidhjeve kolektive të problemeve të përbashkëta.

Pas referendumit Brexit të Mbretërisë së Bashkuar dhe zgjedhjeve presidenciale të SHBA në 2016, zgjedhjet presidenciale franceze mund të jenë tani një pikë kthese. Ka ende shumë kohë deri në raundin e parë të votimit në fund të prillit dhe ne kemi mësuar të presim befasi dhe jo të kemi shumë besim në sondazhet e hershme. Por duket se kandidati i pazakontë Macron, në vend të rebelëve populistë me të cilët jemi mësuar, mund të rezultojë fitimtar.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Macron the Maverick

Ky lajm u publikua fillimisht në www.reporter.al, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative. Kemal Derviş

Source: reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *