Meta sqaron arsyet: Pse shkova në inaugurimin e hotelit të Klemend Balilit…! Rovena Gashi s’duhet anatemuar

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka shpjeguar sot arsyet se pse i ka kërkuar në mënyrë zyrtare Presidentit Bujar Nishani që të mbledhë Këshillin Kombëtar të Sigurisë për çështjen e Klement Balilit.

Sakaq ai nuk ka ngurruar t’u japë përgjigje zërave dhe akzuave se edhe ai ka qenë i pranishëm në inaugurimin e hotelit të Klement Balilit “Santa Quaranta”.

“Unë nuk kam asnjë kompleks ndaj askujt, se kam dëgjuar shumë histori dhe përralla. Kam dëgjuar që ka qenë Meta në inaugurimin e hotelit të Sarandë. Po ju them që Ilir Meta do të shkojë në çdo hotel që do të ftohet nga çdo qytetar, në çdo kioskë që do të bëhet, nëse do ketë mundësi.

Dhe nuk do të shkoj nëse nga Policia apo SHISH do t’i thobë që z.Meta mos shko aty se ky merret me këtë lloj trafiku. Për histori të tilla nuk kam asnjë lloj lmeraku apo kompleksi. Kam dëgjuar edhe nga doktori që flet për këtë. Po mos harrojmë që personi në fjalë ka qenë edhe aktivist i PD.

Dua t’i them që unë nuk jam për dënime kolektive. Nëse personi në fjalë ka probleme me ligjin, të përgjigjet para drejtësisë. Unë nuk kam asnjë kompleks pse një i afërm i tij është kryetar i një bashkie, në Delvinë. Çdo njeri duhet të paguajë vetë për shkeljen e ligjit, dhe për problemet që ka me ligjin dhe drejtësinë.

Koha e dënimeve kolektive ka ikur”, tha Meta. Kreu i Kuvendit është ndalur dhe tek arsyet konkrete të kërkesës së tij drejtuar Presidentit Nishani, pasi arrestimi i Balilit sipas tij, ishte edhe një kërkesë e ndërkombëtarëve.

META MBRON ROVENA GASHIN

Kreu i Kuvendit Ilir Meta, duke folur në “Top Story” për heqjen e vizës së prokurores Rovena Gashi, tha se ajo s’ka arsye të anatemohet. Sipas kreut të Kuvendit, Rovena Gashi ka bërë një punë të shkëlqyer në njësinë antikorrupsion.

“S’ka pse të anatemohet. Ajo ka bërë një punë të shkëlqyer në njësinë antikorrupsion. Nuk ka arsye se përse të sulmohet”, tha Meta.

Source: gazetatema.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *