Mogherini: Bojkoti i opozitës është qartazi një bllokim i reformës në drejtësi dhe e Vetting-ut. Rama: Më qartë nuk ka!

Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, ka përsëritur se bojkoti i Kuvendit sjell bllokimin e Vettingut dhe për pasojë stopimin e integrimit në BE. Ajo u shpreh se Brukseli është gati të rekomandojë çeljen e negociatave kur të nisë zbatimi i ligjit të Vettingut.

“Ne jemi gati, të çelim negociatat kur Vettingu të fillojë. E keni radhën ju, ne jemi të gatshëm ta shikojmë, të shohim ritimin e kësaj reforme. Jam takuar me kryetarin e Kuvendit, grupeve parlamentare, me opozitën dhe kam qenë e qartë se ata që po përpiqen të vonojnë reformat, do rrezikojnë integrimin në BE. Qytetarët e Shqipërisë duan që vendi të bëhet pjesë e BE.

Bojkoti i parlamentit do të thotë bllokim i krijimit të komisionin e Vettingut dhe kjo ndal procesin e integrimit në BE. Vendi juaj ka mundësinë e vërtetë që të ecë përpara në rrugën drejt BE. E di që ka pasur sinjale dje për një hapësirë sa i takon dialogut”, u shpreh Mogherin.

“Ata që po përpiqen të vonojnë Vettingun, po pengojnë të ardhmen e Shqipërisë drejt BE-së. Ne jemi gati për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Po ashtu isha e qartë kur thashë se bojkoti i Kuvendit bllokon Vettingun, dhe mundësinë që ka vendi juaj për të ecur drejt BE-së. E di që ka pasur sot sinjale për dialog sot, dhe jam i mendimit se ky dialog duhet të thellohet më tej. Dera e BE-së është e hapur dhe ne ju presim.

Negociatat do të nisin kur Reforma në Drejtësi të fillojë të zbatohet. E di që ka pasur sinjale sot për një hapësirë sa i takon dialogu” tha Mogherini Në fund të fjalës së saj, ajo falenderoi edhe delegacionin e BE-së në Tiranë me në krye ambasadoren Romana Vlahutin, duke shtuar se ato kanë mbështetjen e plotë të BE-së për të çuar përpara reformat në Shqipëri.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria do vijojë reformat me synim afrimin e perspektivës europiane të vendit. Sakaq, kryeministri Rama në fjalën e tij tha se vendi ynë do të vijojë me reformat dhe zbatimin e prioriteteve kyçe për integrimin e vendit.

“Në këtë moment kur vendoset fati negociatave me BE, duke nisur procesin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, me rëndësi mbetet zbatimi i ligjit të vettingut. Për këtë arsye kjo vizitë është më e rëndësishme se në ditë të zakonshme, ku padyshim është e rëndësishme prania e partnerëve tanë strategjike.

Ne patëm një bashkëbisedim miqësor, të ngrohtë dhe konkret. Jemi dakord që puna me 5 prioritetet kyçe duhet të vazhdojnë intensivisht, pasi ato janë prioritete që do të na shoqërojnë edhe përtej hapjes së negociatave. Ky bashkëpunim do të tregojë se Shqipëria është gati për të negociiuar anëtarësimin. Padyshim që prekëm edhe çështje të natyrës rajonale, por për to do të vijojmë të diskutojmë edhe në darkën e përbashkët të punës”, tha kryeministri Edi Rama.

Source: gazetatema.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *