Nga Edi Rama/ Humbja e pashmangshme si shtysë për një kërkesë të parealizueshme

RamaNga Edi Rama

Ose votim elektronik në zgjedhjet e ardhshme ose ramë e vdiqëm! Kjo është alibia e re e qeverisë së vjetër në rrugën e një humbjeje tjetër…

Megjithatë, ndër plot të pavërteta që po ripërtypen përditë me sebepin e votimit elektronik, jane tre të tilla domethënëse që dua t’i veçoj si më poshtë:

E pavërteta e parë: Këtë mënyrë votimi e paskemi kërkuar ne kur ishim në opozitë!

E vërteta është se ne nuk kemi kërkuar asnjëherë votim elektronik. Kemi kërkuar vetëm identifikim elektronik te zgjedhësve në QV dhe numërim elektronik të votave. E kjo është lehtësisht e verifikueshme. Nuk e kemi kërkuar kurrë votimin elektronik, sepse askush, asnjë ekspert apo njohës i praktikave të mira elektorale, nuk na e ka keshilluar asnjëherë. Përkundrazi, na kanë rekomanduar të heqim dorë nga kjo ide sa herë kemi pyetur dhe prandaj as nuk e shtruam ndonjëherë si kërkesë votimin elektronik. Ashtu sikundër, nuk na e kanë këshilluar kurrë as identifikimin elektronik, me plot argumenta që nuk është ky vendi per t’i renditur. Nuk po zgjatem këtu edhe me faktin se qeveria e vjetër atëhere ishte kategorikisht kundër për identifikimin elektronik, ashtu siç ishin kundër për hir të së vërtetës edhe ekspertët e OSBE/ODHIR-it, edhe një pjesë e vetë ekspertëve tanë. Sic e dëshmojnë edhe shënimet e negociatave të asaj kohe apo procesverbalet e diskutimeve për reformën zgjedhore, ne hoqëm dorë shumë herët nga kjo ide dhe u fokusuam vetëm tek numërimi elektronik.

E pavërteta e dytë: Numërimi elektronik qënka një kollajllëk i madh dhe vetëm vullnet politik u dashka!

Ja pra që ne e patëm këtë vullnet atëhere, por e vërteta është se me qeverinë e vjetër ramë dakord që të mjaftoheshim në 2013-ën vetëm me dy projekte pilot, një për Tiranën e një për Fierin. Dhe kjo jo se u terhoqëm nga ndonjë presion apo se s’kishim fuqi ta vinim si kusht të panegociueshëm e t’i binim murit me kokë! Por thjesht sepse pasi dëgjuam edhe për këtë, ekspertë e njohës ndërkombëtarë të kësaj fushe, edhe përtej atyre të OSBE/ODHIR-it që ishin kategorikisht kundër, kuptuam se ishte një aventurë shumë e rrezikshme po të bëhej menjëherë në gjithë Shqipërinë, edhe sikur të pranonte pala tjetër. Por më tutje, nuk këmbëngulëm më as për dy projektet pilot, sepse testet e bëra nga KQZ-ja dështuan dhe përballë fakteve kokëforta u detyram të heqim dorë. Pse e si dështuan testet është një histori më vete, e cila vlen sidoqoftë të rianalizohet nga ata që sot pretendojnë të njëjtën gjë që pretendonim ne atëhere. Por fakti është se ne u bindëm që rruga e vetme e sigurtë mbetej numërimi tradicional, i cili u lehtësua mjaft në 2013-ën me heqjen e hulumtimit të materialeve zgjedhore nga procesi.

E pavërteta e tretë: Zgjidhjen magjike të elektronizimit të procesit zgjedhor nuk e dashkam unë apo Partia Socialiste!

E vërteta është se as unë s’kam dhe s’kam si të kem asnjë problem në parim me gjithe këtë revolucion digjital, as Partia Socialiste s’ka dhe s’ka di të ketë kundërshtim për ta mbështetur një revolucion te tillë, nëse do të kishim fakte e garanci të plota se pengesat që nuk u kapercyen dot në 2013-ën, mund të kapërcehen në qershor te këtij viti. Po natyrisht këtë s’mund ta faktojnë e lere më pastaj ta garantojnë, opinionet e politikanëve të cilët ngjajnë si dy pika uji me “qytetarët” digjitalë, që publikojnë shpifjet e tyre përmes liderit digjital të PD-së në tabelën e fletë-rrufeve digjitale të këtij të fundit. Kjo duhet faktuar e garantuar nga ekspertë të padyshimtë ndërkombëtarë të fushës dhe padyshim OSBE/ODHIR- i i njohin kush janë dhe i kanë plot ndër këta ekspertë në shërbim të proceseve zgjedhore në mbarë botën.

Nuk çuditem që OSBE/ODHIR-i po rishpallen armiq nga opozita, pse nuk e përkrahin një aventurë të këtyre përmasave. Por padyshim as shpallja e tyre armiq nuk e bën elektronizimin e procesit më realist, as qëndrimi objektiv i OSBE/ODHIR-it për këtë kërkesë të opozitës nuk ka gjasë ta bëjë më realiste këtë të fundit (sepse opozita nuk ka hallin e zgjidhjes elektronike po hallin e humbjes që s’ka zgjidhje).

Megjithatë, ja qendrimi im për këtë debat:

Qeveria nuk mund të marrë përsipër të japë, në këto kushte, dakordësinë për një aventurë të cilës nuk i dihet fundi ose më saktë, e cila me të dhënat e me mundësitë e sotme, ka vetëm një fund: Deshtimin e sigurtë të procesit zgjedhor!

Nuk mundemi të jemi dakord, sepse nëse ne do të bëheshim sot pjesë e një konsensusi symbylltaz për t’ia hyrë kësaj aventure, duke shpërfillur arsyetimin tonë të bazuar tek eksperienca dhe mbi të gjitha opinionin e OSBE/ODHIR-it, nesër shqiptarët e ndërkombëtarët bashkë, do të kishin të gjithë të drejtën të na bënin ne, qeverinë e askënd tjetër, përgjegjës të vetëm për dështimin spektakolar të zgjedhjeve të 18 qershorit. Lëre pastaj opozita që, edhe ajo me plot të drejtë, nuk do të mbetej mbrapa në akuzat e saj për dështim të qëllimshëm të procesit nga ana jonë, madje përkundrazi, do t’u binte daulleve të fitores kundër qeverisë që dështoi qëllimisht procesin.

Por, thënë kjo, dua ta bëj shumë të qartë se personalisht s’kam asnjë kundershtim dhe Partia Socialiste me siguri do të ishte gati ta tejkalonte pozicionin aktual, për të kërkuar bashkë me forcat e tjera politike, një eskpertize ndërkombëtare që, me gjasë, do ta faktonte e do ta garantonte mundësinë reale të futjes së elektronikës në proces!

Pra, le ta ndërmarrë menjëherë Komisioni i Reformës Zgjedhore një proces eksplorimi dhe le të thërrasë e të dëgjojë këdo, që mbi bazën e një eksperience të suksesshme në këtë fushë, mund t’i paraqesë Shqipërisë një plan konkret, të faktuar e të garantuar, për të hedhur një hap në këtë drejtim.

E nëse një ofertë serioze i vihet përpara Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe siguron opinionin pozitiv të OSBE/ODHIR-it (sepse duam s’duam, arbitri i vetëm i standarteve zgjedhore që njeh bota demokratike janë ata), atëherë pse jo!

Source: gazetatema.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *