Nga Real Madridi te Lacio, për t’i zënë vendin… Thomas Strakoshës

Presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, dhe drejtori sportiv, Igli Tare, gjatë ditës së mërkurë kanë qënë në Madrid për të ndjekur nga afër ndeshjen e Ligës së Kampionëve mes Realit dhe Napolit.

Por sipas asaj që raportojnë mediat italiane, vizita e tyre në Spanjë nuk ishte vetëm për ndeshjen, por edhe për të folur në lidhje me një transferim të mundshëm të portierit Kejlor Navas në Itali.

Reali prej kohësh është në kërkim të një portieri tjetër titullar dhe emrat më të përmendur janë David De Gea dhe Tibot Kurtua.

Në rast se një prej tyre do të vishte fanellën e “galaktikëve”, atëherë portierit nga Kosta Rika do t’i duhej të pranonte stolin, ose të largohej nga skuadra. Lacio gjithashtu është në kërkim të një portieri titullar duke parë dëmtimet e shpeshta të Marketit, ndaj Navas konsiderohet si një mundësi shumë e mirë, shkruan Panorama Sport.

Por një transferim i Navasit te Lacio nuk do të ishte një lajm i mirë për portierin shqiptar Thomas Strakosha. Ky i fundit është aktivizuar si titullar gjatë këtij sezoni në ndeshjet ku ka munguar Marketi dhe ka bërë paraqitje mjaft pozitive. “Gardiani” 21-vjeçar shpreson që në rast të një largimi të Marketit, Lacio t’i besojë atij portën e skuadrës, por mesa duket drejtuesit e klubit të kaltër preferojnë dikë me më shumë eksperiencë.

Source: gazetatema.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *