Prej Princ Vidit te Princ “Vettingu”

Nest Zefi

23 maj 1914, Princ Vidi, i pari majtas, dhe Princesha hipin në një barkë për t’u strehuar në anijen Misurata në Gjirin e Durrësit nga frika e kryengritësve

Titulli evokativ i këtyne pak rreshtave që po mundohem me shtri këtu në fb, rrokë nji periudhë të gjatë kohore, mbi të cilën nuk e kam pretendimin me u thellue në këtë shkrim por vetëm me lshue apo rifreskue ndonji tezë të vogël për diskutim e rreflektim, mbasi realisht jemi në shansin e dytë që Europa i jep Shqipnisë për me u deotomanizue mbas atij të parit të humbun me Princ Vidin.

Pra, Vettingu, asht vërtet shansi i dytë që i jepet vendit tonë dhe kurrsesi nji obsesion rreshtimit për kunsumin banal të politikës së ditës në Shqipni dhe nji mundësi reale me hap nji kapitull të ri kundër kulturës së arbitraritetit e të pandëshkueshmënisë, konstante e historisë së shtetit shqiptar qysh në gjenezë dhe sidomos në 26 vitet e fundit.

Tue kenë princ Vidi qysh në krye të herës bashkë me aktualitetin e “shtatzaninë” e gjatë të Princ “Vettingu-t”, si dy tentativat e vërteta dhe të sinqerta të botës së qytetnueme me integrue Shqipninë e sakatueme prej robnisë përcudnuese otomane, të djeshme dhe të sotme, në gjinë e vetë, mendoj se sensi i përgjegjsisë qytetare e politike e ka detyrë shpijet me i korrespondue kontingjencës historike e delikatesës së saj imperative.

Gjithashtu sa për kujtesë historike e larg klisheve të krijueme në vite, duhet meditue mirë se si shkoi dam tentativa e parë e fuqive të mëdha europiane me rikuperue Shqipninë dhe me katalizue nji proces emnacipimi kulturor e politikë prej trashigëmisë të randë otomane.

Sigurisht, pretendimi i fuqive të mëdha për atë kohë ishte naiv e donkishotesk dhe fort i induktuem prej kontekstit romantik apo edhe hiperbolizimit të fuqisë kulturore të pak njerëzve me frymë perëndimorë që kishin rezistue në trojet e dhunueme shqiptare të dhunueme prej 5 shekujsh robni integrale osmane.

Në fakt, bash sa erdhi Princ Vidi, Haxhi Qamili me miletin e vetë, i “pompuem” prej gjakut që vlonte në damarët e zemrës të sinqertë anadollake, e detyroi “mysafirin” e shquem me mision shëlbues, me marrë tragetin dhe me u zmpraps kah ishtë nisë, tue invokue kthimin e Babës otoman në mënyrë që të vazhdonte me sundue tokën shqiptare.

Në fakt, Haxhiqamili për zellin e tij me pasë pranë e ndej me Babën, tue sfidue Edipin e Frojdit, asht marrë si paradigma e otomanizmit në Shqipni dhe e mentalitetit kundërshtues në raport më hapjen ndaj Europës dhe vlerave të progresit material e shpirtnor të shqiptarëve.

Edhe pse në këtë paradigmë ka shumë të vërteta, duhet pranue se dami i Haxhiqamilit asht shume herë ma i vogël se dami që kanë ba e po mundohen me ba trashëgimtarët e tij biologjik, ideologjik pa ide, shpirtnor e fetar në këto 100 e kusur vjet entitet shtetnor shqiptar.

Haxhiqamili me sinqeritetin e tij otoman e kufizimet kulturore e pakurueshme, përfaqësonte nji fomë idiotsiet beninje në krahasim me degjenerimin e idiotësisë së trashëgimtarëve të vetë në malinje me metastaza paralizuese për “shtatin” e Shqipnisë e perspektivat e saj.

Sa u tha ma sipër e konfirmojnë bollshëm drejtuesit tiranik që janë alternue në krye të entitetit deficitar shtetnor shqiptar. Dy trashigimtarët e parë në rendin kronologjik të Haxhiqamilit, pra, Ahmet Zogolli e Enver Hoxha, ky i fundit adhurues publik i tij, me “liftingun” medemek perëndimor të fillimeve të tyne, u rafinuen në zanatin e mbijetesës, tue e katalizue në forma të frikshmë frymën anadollake represive të cdo lirie e të drejte njerzore të popullit të tyne, thjesht për pushtet, qëllim në vetvedi e narcizizëm sundues.

Pasojat që lanë mrapa me tiraninë sunduese të pamëshirshme të tyne, janë jo vetëm thjesht gërmalla materiale e shpirtnore, të pakrahasueshme me asnji vend tjetër dhe realisht ma e randa pasojë, por edhe nji deformim antropologjik i njeriut shqiptar, tue normalizue në pjesën ma të madhe të popullsisë kulturën e idiotësisë beninje, në rastin ma të mirë, dhe atë të idiotësisë malinje në pakicën militante të zellshme të establishmentit politik e shoqnor.

Për fatin e mirë të Shqipnisë, e vetmja qëndresë me ruejt sadopak të ndezun qirin e shpresës, asht kenë minoranca e sakatueme katolike e prijësit e saj të ndritun fetar, pa harrue sigurisht njerzit vullnetmirë që nuk i kanë mungue vendit tonë, të cilët kontribuen ma shumë së askush tjetër me xjerrë Shqipninë në vedi prej zgjedhës otomane, tue e pague shtrejtë këtë shërbim prej trashëgimtarëve të Haxhiqamilit e sulltan Fatihit, me persekutim mizor, i alternuem prej kohës së Zogut e deri në kohët tona, kulmi i të cilit për derdhjen e gjakut martir, u përftue në kohën e Hoxhës Enver.

Pra, tue ndej te metafora mjekësore-psikiatrike e evoluimit të idiotësisë beninje në malinje në rrafshin diakronik të mentalitetit otoman në Shqipni, mbas këtyne rreshtave të shkurt shpjegues mbi humbjen e shansit të parë dhe përshkallëzimin e rrezikshmërisë së trashëgimtarëve të Haxhiqamilit, mendoj me kalue e thanë dy fjalë mbi fazën e tretë e cila lidhet edhe me “Princin” e palindun “Vetting” e dhimbjet e mëdha që po e shoqnojnë këtë proces jetik për fatet e Shqipnisë europiane.

Edhe këtu nevojitet nji premisë sintetike shpjeguese e kontekstit të krijuem mbas viteve 90’, kur u transformue ngrehina politike shoqnore e ngritun prej diktatorit Hoxha me anë të pilotimit dinak prej dorës së shqipfolësit boshnjak Ramiz Taip Alia, të cilit Hoxha Enver i kishte lanë amanet me ruejt partinë e statuoskuonë sunduesë me cdo mjet e kusht në dorë të fisit “të iluminuem” otoman. Sqaroj se nuk asht obsesion theksimi i termit otoman por realizëm i dhunshëm më të cilin shkapetana tanë ditën e lume në Shqipni.

Ramizi nuk e trathtoi këtë amanet dhe përballë situatës së pashpresë ku e kishte cue strategjia e mbydhjes së vendit nga ana e diktatorit Hoxha, sidomos mbas prishjeve të fundit të mardhanieve diplomatike me Kinën dhe e presionit ndërkombtar në vitet 90’, e pshtoi partinë e vetë, tue e hapë në pluripartitizëm të rremë dhe fuqizue frikshëm krahun otomano-komunist, gjithmonë i pranishëm të Partia e Punës edhe pse i mirë sherbetisun në nji farë retorikë estetike prej regimi. Imponimi i dhunshëm i krahut otoman u pa dukshëm me strategjinë e shkatërrimit të shtetit edhe asaj kulture shtetnore që ishte krijue për inerci gjatë diktaturës me dam të madh për kohën e volitshme të kauzës perëndimore të shqiptarëve.

Kupola drejtuesve që erdhi rrufeshëm në pushtet mbas viteve 90’, bile tue lecitë rrejshëm kauzën antikomuniste edhe pse ishte thellësisht komuniste e otomane, pati nji efekt narkotizues e krijoi terrenin që bash ajo idiotësi beninje që gjarpnonte në segmente të gjana të kontekstit shoqnor shqiptar, të intrumentalizohej për qëllime pushtetit deri në atë pikë kulmore, sa me ia pasë zili edhe Enver Hoxhës.

Proceset medemek “demokratike” me parulla europiane, përtej pikturimeve që bahen ex post, ishin himn ndaj anarkisë dhe pikërisht anarkia e kontrollueme fisnore u shit si liri, menaxhimi i shtetit e shkatërrimi i tij me të mirën e përbashkët, u shit si doktrinë liberale me adepta që vazhdojnë edhe sot të lehin pa pikën e turpit edhe pse nuk dijne me i dhanë “gomarit ujë” në këto punë. Shpejt  brenda fisit heterogjen, filloi avazi logjik i “gjuetisë së shtrigave” me etiketime të gjithve kundër të gjithëve edhe pse të gjithë rrinin e vazhdojnë me ndej nan nji cadër e hanë të njajtin pilaf e tasqebab…

Kurba evoluese e entitetit shtetnor shqiptar në tentativat e saj të dëshpërueme me u ba pjesë me atë mënyrën e vetë e Europës e fillon me Princ Vidin, degradon në katundarinë ordinere të Haxhiqamilit, vazhdon pak me utopine e Fan Nolit e Luigj Gurakuqit, ngreh nji bërthamë autoritariste shtetnore me Ahmet Zogun, pason me diktaturë të ashpër me Enver Hoxhën e së fundmi vjen epoka thellësisht fisnore e mbas viteve 90’, ku bajraktari i fisit asht “udhëdreqi i iluminuem”, që rren e kastron cdo njeri e liri që i del para dhe ia mbrrin me shkatrrue shtetin, tue e hedh në erë metaforikisht e realisht në konkretësinë tragjike të saj, bile pa i hy ferr në kamb..

Princ “Vetingu” i palindun, asht ba si lindja e Krishtit që tremb Herodin e për këtë arsye Herodi jonë, kardiolog i bamë gjinekolog abortis e ka ba objekt tentativash ekstreme për abort me gjithë krahun otomano-komunist tue  vërtetue shumë intuita tona mbi rolin e këtij modeli fisnor pa parime, të tematizueme me kohë, për zellin e tyne antishtet e antikomunitet.

Vettingu, si krijesë e ngjizun me teknikat avanguardiste të “fekondimit artificial” në zyrat e Bahkimit Europian, asht testi përfundimtar për rrugën që do të marrë Shqipnia e zhytun në krim shtetnor e mjerim shoqnor në vitet e ardhshme por edhe nji farë etaloni për me verifikue secili prej nesh shkallën e aderimit mes fisit apo lirisë së përgjegjshme në komunitetin e shekullit të XXI..

Me të vërtet asht fatkeqësi kombtare e shoqnore se si Partia e parë formalisht opozitare që recitonte sllogane europiane, ndryshe nga partia nanë që ruente strukturën dhe nji farë koherencet të brendshme me kuriozitet evolutiv për me mbijetue e me u përshtat kohës me dinakëri, u dëshmue e po dëshmohet kryesisht streha e disa otomanëve të cartun, të cilët e kanë tejkalue në cinizëm e diabolizëm Haxhi Qamilin.

Po ashtu u dëshmue edhe shpija e rrejshme e njerzëve vullnetmirë, mbi të gjitha e krahut përëndimor, i përfaqësuem in primis prej shume katolikëve të vuejtun vërtet e për mend që me naivitet besuen në retorikën e  lecitëse të idealëve të tyne prej kripto-otamanëve.

Otomanet gjonturq me përqasje fisnore shkatërruese ndaj së mirës së përbashkët, me retorikën e idealeve të marruna me “tender” bash prej katolikëve naiv që shërbenin e shërbejnë si patericë kamufluesë e karakterit thellësisht otoman të kësja partie medemek “antikomuniste”, mbodhën farën e përcamjes, polarizimit ekstrem të paqes sociale dhe katalizimin e nji frymë antiperëndimore në Shqipni.

Këto otoman të mjerë, vazhdojnë të shantazhojnë në emën të idealeve abstrakte, sedrën e katolikëve që militojnë në partinë e tyne, në disa raste bile tue ia arritë qëllimit; asht e tmerrshme me pa disa katolikë të tredhun komplet tue ndej nan cadrën e turpit otomane e që kanë harrue me i ba llogaritë me koshiencën e tyne si instanca ma e naltë e llogaridhanies personale para Zotit e para robit.

Sqaroj se nuk kam ndërmend me absolutizue opinionin tem dhe e dij mirë se të gjithë janë të lirë e të mirkuptuem me militue në nji parti politike, aq ma tepër në nji parti të madhe, por me kushin paqësor mos me transferue te partia dimensione metafizike e trascendente se ndryshe bahen ma qesharak se sa Enver Hoxha me idealin e rremë të partisë së tij e nuk mbrrijne me kuptue dinamikën plurale të shoqnisë shqiptare.

Po ashtu duhet kuptue se, Princ “Vettingu” nuk asht pjellë e Edi Ramës dhe mazhorancës së tij por vepër kryekëput e vullnetit të Bashkimit Europian për me i dhanë nji shans tjetër Shqipnisë mbas 100 vitesh në tentativën me e shkëput prej trashëgimisë problematike e tiranike otomane e komuniste.

Kam respektin maskimal për cdo protestë e kundërshti sepse i ban mirë dialektikës shoqnore e politike, por kurrsesi nuk asht e pranueshme tentativa e otomanëve nan cadrën e sulltanit të Tiranisë me bllokue vettingun e lirisë europiane të Shqipnisë. E përsëris edhe nji herë se ato katolik nan cadër, naiv e përrethas të tjerë, duhet të kuptojnë së po intrumentalizohen e shkojnë kundër ADN së tyne gjenetike e historike, tue e lanë vedin të mashtrohen nga retorika banale narkotizuese otomane. Vettingu asht test rreshtues ose në anën e perëndimorëve osë në atë të otomanëve e ky imperativ gati kategorik duhet përmbrendësuë mirë për mos me u rreshtue në anën e gabueme të historisë.

Komuniteti katolik si tharm i shoqnisë, memorie historike e qëndresës së kombit shqiptar e gjuhës shqipe, i ka qëndrue turkut për 500 vjet, Ahmet Zogut e Enver Hoxhës dhe ska pse ledhatohet nga retorika intrumentale e kriptootomanëve që tashma nuk janë ma kripto por haptazi po rivendikojnë pasionin e hershëm me bllokue integrimin e Shqipnisë në Europë.

Boll ma me arnime mbijetojsë, skllavni vetëngushëlluese e mediokritet të normalizuem të tipit asht djale i mire e flori por pak budall dhe si i tille merr shume “like” tue u normalizue si model shoqnor. Ky asht ideali i otomanëve e jo i katolikëve apo njerzëve vullnetmirë me të cilët asht e mbushun Shqipnia dhe ky bast duhet fitue me cdo kusht; në radhë të parë, duhet me u emancipue prej pengjeve e shantazheve të degjenerueme të otomano-komunistëve, të cilët kanë teknika të sofistikueme me largue e margjinalizue njerzit me koshiencë të shëndoshë e të lirë shpirtnisht, tue skllavnue brishtësinë e arrivistëve mjeranë.

Me kenë me Vettingun nuk bahesh automatikisht me Edi Ramën e mazhornancën e tyne por duhet kuptue se kur mbyllet nji derë hapet nji portë tjetër e madhe e cdo njeri në sovranitetin e lirisë së tij, nuk mund ta ketë tabu me iu përgjigj potencialisht edhe ftesës së Edi Ramës pa pasë frikë me u etiketue tratta sepse kjo nuk e gjymton atë si njeri e vlerat e veta.

Partia e otomanëve si njohëse e mire e antropologjisë së sundimit e besnikërisë se katolikëve, asht mundue gjithmone me i shantazhue për me i mbajt njerzit e vleshëm larg vedit por edhe me i pengue në lirinë e tyne me zgjedh ndonji strehë tjetër politike.

Ndërsa prostituimin e vet për pushtet e ka konsiderue pragmatizëm e më vjen keq që shume njerz me potenciale janë mbyll në Cadër se kshtu kënaqën me epitetin qëndrestar që kanë shpike shantazhuesit e tyne.

Numri i madh i partive me sigla democristiane asht vepër kryekëput e otomano-komunistëve, të cilët i dijne mirë potencialet e katolikëve, për me i lanë të përcamë e të përfaqësuem me elementë qësharak që i përkasin fiziologjisë normale statisti kore të cdo komuniteti.

Otomanët urrejnë lirinë e kjo asht dicka elementare që duhet kuptue sa ma parë prej katolikëve e cdo njirit vullnetmirë. Sigurisht e dij mirë se agorja politike e shoqnore, nuk asht se ka alternativa të shumta por kategoria e të keqës ma të vogel, të paktën në planin politik e jo atë moral, në këtë moment preciz historik, duhet rivlersue sepse jena përballë nji kontest konfuzionit ekzistencial të tmerrshëm.

Nëse Edi i lexon kto rreshta e mendoj se edhe potencialisht mund t’i lexojë mbasi paraarhdësi i tij ia ka lanë vesin e virtualitetit, i tham t’i japë zgjidhje politike situatës së trafikut para zyrës së tij, tue shpall brenda 45 ditesh zgjedhjet e parakohëshme se për Vettingun e dij se ska kah shkon për me e votue se asht vullnet i tjetërkujt.

Gjithashtu, shpresojme për nji opozitë që clirohet prej otomanizmit të saj strukturor e nji lëvizje katolike jo në nivele partiet por frymët tharmuese në linjë me traditat ma të mira të kshtena europiane.

Otomanët në arsenalin e fjalëve të tyne të “urta” thonë se me i shkue gomarit mrapa e gjen rrugën por na s’jena gomar por njerz që duhet t’ia lejojnë vedit me u drejtue prej gomarëve.

Diktatura e injorancës që shkollohet në punishtet apo cadrat e injorancës, asht emergjenca e vërtet shoqnore në Shqipni dhe pa nji qendresë të vërtet molekulare personale e komunitare përballë shantazheve të cdo natyrë me i hapë rruge pikërisht injorancës, rrezikojmë kanibalizmin shoqnor.

Mjerimi asht vërtet i madh në Shqipni, ma fort ai shpirtnor e intelektual se sa ai material e mjafton me i hedh nji sy të shpejt shtypit të ditës për me kuptue këtë fakt evident. Stisen konflikte shoqnore, tue përdor kategori malok apo jo malok, pra,  tue ra në batakun e këtyne banaliteteve komentuese ordinere. Mandej, mjafton me u ndal pak të rasti i vdekjes së Dritëro Agollit, i cili vazhdon të komentohet asht me nji sproporcion e diletantizëm argomentash përmallues pa pike impaktit për nevojat e vërteta të shoqnisë shqiptare, per me kuptue se jena shoqni pa mendimtar, intelektual e njerzëz që kane kurajon profetike me folë drejt e në sintoni më popullin e tyne.

Droga asht nji term që qarkullon dendun ndër ne e sigurisht që asht në arat e Shqipnisë por mendoj se asht edhe ma shumë në menden e disa shqiptarëve që i ka kalamendue randë, sa mos me kuptue koordinatat e misionin e tynë ne shoqni. Vettingu duhet të hapë këtë proces vetëdijësimit përtej aspekteve të tij teknike e politike.

 

 

 

 

Source: gazetatema.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *