Topalli këshillon Bashën: Bojkoti i zgjedhjeve, vetëvrasje për PD

Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli, mendon se ideja që përkrah lideri i partisë Lulzim Basha për bojkotin e zgjedhjeve është e gabuar.

Nga çadra e vendosur para Kryeministrisë, Topalli iu kundërpërgjigjet atyre qe brenda PD apo në media, kanë mbrojtur idenë që opozita të mos marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, duke vënë në dukje se kjo do të ishte vetëvrasje për Partine Demokratike, një pozicion që Topalli e ka mbrojtur edhe në mbledhjet e grupit parlamentar sa herë është ngritur kjo çështje.

“Këtu pastaj është vija ndarëse se unë e gjykoj se do ishte një “suicid” politik e do të ishte një tradhti ndaj të gjithë këtyre që janë këtu dhe ndaj gjithë familjeve të tyre dhe të tjerët që mendojnë se një herë në 4 vjet, vjen mundësia për të shprehur vullnetin e tyre për të ndryshuar situatën. Dhe në këtë kuptim, unë besoj se nëse ne do të ecim në sintoni me dhimbjen dhe dëshirën e madhe të qytetarëve shqiptarë për të ndryshuar gjëra, ne do ta arrijmë pavarësisht kushteve jashtëzakonisht të vështira për të arritur në zgjedhje”, tha Topalli për Vizion Plus.

Por Topalli mbështet bojkotin e parlamentit, edhe pse faktori ndërkombëtar i ka bere thirrje PD të kthehet në Kuvend.

“Është krejt normale që ndërkombëtarët të mos jenë idhtarë të bojkotit, edhe unë personalisht si ish-kryetare e kuvendit, nuk është se kam ndonjë qejf të madh kur bojkotohet Parlamenti, por situata e imponon dhe në këtë kuptim unë respektoj vendimin e grupit”.

Ish-numri dy i PD mbetet një prej atyre demokrateve qe besojnë se opozita nuk duhet t’i mbaje sytë tek Ilir Meta: “S’kam qenë asnjëherë në grupin e atyre që mendojnë se nga cic micet e kryetarëve të partive mund të ndryshojë situata, unë besoj tek forca e fuqia e njerëzve, të atyre që vijnë këtu”.

Sipas Topallit, lidershipit të PD i lind detyrimi që në këtë fazë ta përshkallëzojë protestën.

Source: gazetatema.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *