Triumvirati i protestës

Nga Met Dervishi

Ngritja e çadrave nga protestuesit po shihet si imitim i një proteste të mëparshme të Edi Ramës, kur ishte në opozitë, por ka një ndryshim thelbësor: çadrat e z. Rama në opozitë u shtrinë përgjatë bulevardit me mesazhin simbolik që pushteti e ka opozitën përballë, kurse çadra e protestës së sotme është ngritur përkrah godinës së kryeministrisë, për të theksuar simbolikisht se tani kemi dy pushtete, atë të kryeministrit, shumicës, në godinën e kryeministrisë, dhe atë të protestës në çadër që del si frymëzim qytetar.

Pavarësisht pritshmërive që protesta do të jetë një dështim ngaqë liderët e saj kanë një histori aspak inkurajuese në raport me kauzat që aspirojnë, çadrat përkrah kryeministrisë dëshmojnë të kundërtën: të paktën, simbolikisht jemi përballë dy pushteteve dhe njërin prej tyre e udhëheq opozita.

Po çka ndodhur ndërkaq dhe pse masat, ndonëse dukej sikur opozita ishte në pikun e rënies së saj, iu përgjigjën mesazhit?

Për këtë protestë janë alternuar tre mesazhe, që sipas teorisë së receptimit kanë qëlluar në shenjë.

Së pari, kemi mesazhin e z. Berisha për një revolucion demokratik. Ky meshazh godet masat e pakënaqura, ndryshe masat e ndërsyera, të cilat, të pakënaqura nga qeverisja, nëpërmjet ftesës për një revolucion popullor shndërrohen nga masa të ndërsyera në masa përmbysëse, jakobine. Z. Berisha, gjatë këtyre dekadave të tranzicionit ka qenë mjeshtër i nxitjes së instinkteve jakobine të masave qysh në 92–shin e largët, çka shpjegon dhe mbijetesën e tij në politikë.

Më vonë, në vitin 1998 ai, gjithashtu me mjeshtri, masat e vajtimit që kishin dalë në shesh për vrasjen e A. Hajdarit, i shndërroi sërish në masa përmbysëse ( Nanoja që ia mbathi). Dhe në vitin 2005, përballë “mamuthëve të korrupsionit” z. Berisha masat e ndërsyera, të pakënaqurit i shndërroi në masë përmbysëse, megjithëse kishte trashëgimi piramidat dhe shkatërrimin e shtetit në vitin 97’.

Së dyti, të alternuar me këtë mesazh kryesor, kemi mesazhin e festës së bashkimit më të madh qytetar të z. Basha. Jo më larg se dje z. Basha ka artikuluar pikërisht këtë mesazh që prodhon masat festive të përmbysjes, ngazëllimin popullor të ndarjes me të keqen. Ky mesazh, festa, masat festive, ndonëse alternohet me të parin, “revolucionin demokratik”, që gjithsesi duket që është jakobin, përputhet dhe me vizionin europian që don të krijojë z. Basha për veten, por dhe në marrëdhënie me ndërkombëtarët, ndonëse në rastin konkret, ai perceptohet si fitore e masave që e kanë kryer nëpërmjet simbolizmit përmbysjen.

Së treti, kemi mesazhin e z. Spahiu, atë të rrethimit të kryeministrisë me zinxhirë, për metonimi, lidhjen me zinxhirë të Edi Ramës. Në këtë rast kemi orientimin kundrejt masës që është gjykatësi suprem, të masës që jep verdiktin dhe dënon, të lidh me zinxhirë, pra kemi masën që kinse jep urdhërin për ekzekutimin publik të së keqes, në rastin konkret, kryeministria/kryeministri.

Tri fetë e mëdha gykimin e fundit e kanë zhvendosur në kohërat e apokaliksit, demokracitë e zhvendosin në fushatat zgjedhore, kurse z. Spahia e ka vendosur atë tre katër muaj para zgjedhjeve, por, sidoqoftë, kemi gjithnjë masën që e ka përcjellë mesazhin dhe është në shesh.

Në raport me z. Berisha, risija është që kësaj radhe tre mesazhet vijnë nga tre personazhe të ndryshme, kurse më parë, gjatë tranzicionit, të tre këto role i ka kryer po i njëjti njeri, gjatë dhe jo vetëm në fushata, z. Berisha.

Në protestë pati dhe një element tjetër që lidhet me gjykatësin suprem, dordolecët dhe djegien e tyre. Natyrisht që është një simulim simbolik, por gjithnjë ka të bëjë me gjyqin suprem, djegien e lidershipit në flakët e zemërimit popullor: nuk kemi vetëm përbysje simbolike, por dhe ndëshkim në flakët e ferrit që janë ngushëllimi i masave.

Ky do të ishte leximi i kësaj proteste sipas teorisë së receptimit dhe pushtetit të masave. Megjithatë, e rëndësishme është se si do ta lexojë këtë protestë z. Rama, i cili, kur ishte në opozitë, atakonte realitetet virtuale që prodhoheshin nga kutia e televizorit. Hë për hë, sipas mendimit tim, ka gabuar që nuk e ndoqi protestën nga këtu. Dhe përgjigjen e mori: sipas Z. Berisha, ia ka mbathur në Malet e Sharrit, në asociacion me z. Nano që dikur ia mbathi në Maqedoni. Natyrisht që kjo nuk është e vërtetë, po masa ka marrë mesazhin që do: e keqja po përmbyset.

Të shohim çdo ndodhë…

 

 

 

Source: gazetatema.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *